Skip to content

OVL e UÇK-së kundër keqpërdorimit të flamurit të UÇK-së në akte vandalizmi në Tiranë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar kundër përdorimit të flamurit të UÇK-së në veprime vandaliste, duke kërkuar që simboli i luftës çlirimtare të mos ndërlidhet me dhunën, dëmtimin e pronës dhe plaçkitjet.

Në një reagim të publikuar në Facebook, organizata ka rikujtuar se flamuri i UÇK-së simbolizon luftën për liri, sakrificën e dëshmorëve dhe lirinë e fituar nga populli i Kosovës.

Sipas OVL-UÇK-së, ky simbol nuk duhet të përdoret për të arsyetuar apo mbuluar veprime që dëmtojnë pronën publike dhe private.

Organizata ka theksuar se protestat janë e drejtë e çdo qytetari, por pakënaqësitë nuk mund të shërbejnë si arsyetim për lidhjen e flamurit të UÇK-së me akte të dhunshme dhe shkatërruese.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK u ka bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave që të tregojnë përgjegjësi dhe të ruajnë dinjitetin e simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.