Skip to content

Kosova drejt marrëveshjeve me Austrinë dhe Turqinë për njohjen e kontributeve pensionale

Ministri Andin Hoti ka kërkuar autorizimin për nënshkrimin e dy marrëveshjeve që synojnë rregullimin e sigurimeve sociale dhe mundësimin e realizimit të të drejtave pensionale për qytetarët e të dyja vendeve. Zbatimi synohet të nisë në vitin 2027.

Kosova po ndërmerr hapa drejt lidhjes së marrëveshjeve për sigurimet sociale me Austrinë dhe Turqinë, të cilat synojnë të krijojnë bazë ligjore për njohjen e ndërsjellë të kontributeve pensionale të qytetarëve, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë miratuar dy propozim-vendime të sponsorizuara nga ministria që ai drejton, përmes të cilave kërkohet autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjeve me këto dy shtete.

Sipas Hotit, marrëveshjet synojnë të rregullojnë marrëdhëniet reciproke në fushën e sigurimeve sociale dhe të mundësojnë njohjen e kontributeve të paguara nga qytetarët në të dyja vendet.

Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për mërgatën kosovare në Austri dhe për qytetarët që kanë punuar për një periudhë të gjatë në Austri apo Turqi. Pas arritjes së moshës së pensionimit, ata do të mund të realizonin të drejtat pensionale në përputhje me kushtet që do të përcaktohen në marrëveshjet përkatëse.

Ministri Hoti ka theksuar se marrëveshjet nuk parashohin kosto buxhetore, ndërsa hyrja e tyre në fuqi dhe zbatimi do të bëhen pas përfundimit të procedurave ligjore në të dyja shtetet.

“Ne synojmë që në vitin 2027 të fillojë zbatimi i këtyre dy marrëveshjeve”, ka deklaruar Hoti.

Nënshkrimi i marrëveshjeve pritet të krijojë një bazë të re për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës, Austrisë dhe Turqisë në fushën e sigurimeve sociale, me synimin që qytetarët të mund të përfitojnë nga kontributet e tyre pensionale të realizuara në të dyja vendet./Albinfo.ch