Shqipëria

Shqipëria me konsumin më të ulët të energjisë në Evropë

Me këtë nivel, Shqipëria renditet ndër vendet me konsumin më të ulët në Evropë, duke lënë pas vetëm Maltën

Shqipëria rezulton ndër vendet me konsumin më të ulët të energjisë në familje për banor në Evropë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024.

Konsumi final i energjisë në familje ishte 220 kilogramë ekuivalent nafte (kgoe) për banor, shumë më poshtë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 507 kgoe për banor. (Ky tregues mat energjinë nga burime të ndryshme, si energji elektrike, gaz, naftë/produkte nafte, dru dhe lëndë të tjera djegëse, të shndërruara në një njësi të përbashkët: kilogramë ekuivalent nafte (kgoe) ne një vit).

Me këtë nivel, Shqipëria renditet ndër vendet me konsumin më të ulët në Evropë, duke lënë pas vetëm Maltën. Konsumi shqiptar ishte më pak se gjysma e mesatares së BE-së dhe dukshëm më i ulët edhe se vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut (261 kgoe), Mali i Zi (472), Serbia (508) dhe Bosnjë-Hercegovina (513), raporton monitor, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat e brendshme e shpjegojnë këtë renditje me mënyrën e ngrohjes së banesave në Shqipëri. Sipas INSTAT përdorimi i druve, qymyrit dhe materialeve të tjera të ngurta mbetet shumë i përhapur si burim kryesor ngrohjeje në disa qarqe, ndërsa në zona të tjera përdorimi i energjisë elektrike është më i lartë.

Një studim mbi varfërinë energjetike në Shqipëri, i bazuar në të dhëna të Eurostat, ka treguar gjithashtu se sobat individuale janë sistemi më i zakonshëm i ngrohjes, ndërsa një pjesë e familjeve nuk kanë fare sistem ngrohjeje, duke bërë që konsumi për banor mbetet i ulët, sidomos krahasuar me vendet evropiane ku ngrohja e banesave është e bazuar të gazi i lëngshëm.

Në Bashkimin Evropian, në vitin 2024, 61,5% e energjisë së përdorur nga familjet shkoi për ngrohjen e banesave, 15,6% për ngrohjen e ujit dhe 14,8% për ndriçimin dhe pajisjet elektrike. Kjo tregon se kushtet klimatike dhe nevoja për ngrohje janë faktorë të rëndësishëm në nivelin e konsumit familjar të energjisë.

Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet për banesën, ku përfshihen energjia elektrike, uji, karburantet dhe qiraja, zinin 9,6% të buxhetit mujor të familjeve shqiptare në vitin 2024, me një shpenzim mesatar prej 8.944 lekësh në muaj.

Shqipëria ende nuk ka projekt për gazifikimin e vendit dhe një pjesë e madhe e konsumatorëve sidomos familjeve nuk arrijnë të ngrohin banesën me asnjë lloj energjie gjatë periudhës së dimrit.