Kosova

Haxhiu: Duhet të përgatitemi edhe për rrëzimin e akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Speciale duhet të ndërtohet një strategji shtetërore dhe të përgatiten hapat e mëtejshëm lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në një intervistë për emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haxhiu tha se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale, duke theksuar se kjo çështje, sipas saj, lidhet drejtpërdrejt me UÇK-në.

Ajo e ka cilësuar vendimin e shkallës së parë si të padrejtë dhe të rëndë për Kosovën, ndërsa ka thënë se pasojat e tij prekin edhe familjet e personave që po përballen me proceset gjyqësore.

Haxhiu rikujtoi rrethanat që, sipas saj, çuan në krijimin e UÇK-së, duke përmendur represionin, dhunën, vrasjet, dëbimet dhe helmimet e shqiptarëve para luftës.

Ajo gjithashtu tha se çështja e saj prek edhe në aspektin familjar, pasi babai, bashkëshorti dhe disa familjarë të bashkëshortit të saj kanë qenë pjesë e UÇK-së.

Sipas Haxhiut, ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Prokurorisë së Specializuar lidhur me akuzat që tashmë janë rrëzuar. Për këtë arsye, ajo vlerëson se institucionet duhet të jenë të përgatitura edhe për mundësinë që të rrëzohet akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale.