Kosova

Kallas: BE-ja do të dalë me plan urgjent ndaj kërcënimeve nga Rusia

E para e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar sot se blloku do të propozojë një protokoll urgjence për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë dhe atyre hibride nga Rusia.

Ajo njoftoi se informacionet e inteligjencës tregojnë se Rusia po planifikon akte të mëtejshme sabotimi dhe sulme që synojnë demokracitë evropiane. Ajo ka theksuar se qëllimi është përçarja e shoqërive dhe frikësimi i vendeve evropiane për t’i shtyrë ato të reduktojnë mbështetjen për Ukrainën.

“Duhet ta kemi parasysh këtë për t’u bërë ballë këtyre kërcënimeve. Gjithashtu, kur kemi informacione inteligjence, duhet të jemi në gjendje të reagojmë para se këto sulme të ndodhin realisht”, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch.

Tutje, Kallas ka shtuar se BE-së i duhen anije shtesë detare, të afta për të shoqëruar anijet përmes ngushticës Bab el-Mandeb. Ajo ka thënë se një numër anijesh i janë ofruar një “koalicioni të të vullnetshmëve” të veçantë, por se ky koalicion nuk është ende operacional teksa ka thënë po ashtu se BE-ja mund të shqyrtojë mundësinë e dislokimit të disa prej atyre anijeve në kuadër të “Operacionit Aspides” – misionit detar ekzistues të bllokut në Detin e Kuq, derisa koalicioni i veçantë të bëhet operacional.