Kosova

LDK-ja shprehet e gatshme të kontribuojë në çështjen e presidentit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar se ky subjekt është i gatshëm të kontribuojë në çështjen e presidentit.

Pas seancës, ajo ka thënë se për LDK-në është e rëndësishme që të shmangen zgjedhjet, duke shtuar se po ashtu kjo varet nga vullneti i të gjitha partive politike.

“Do të jemi me vullnetin maksimal që t’i konkretizojmë hapat që të kemi zgjidhje për secilin problem, që institucionet të funksionojnë. Si parti kemi thënë që është e rëndësishme t’i shmangim zgjedhjet, por kjo kërkon vullnetin e të gjitha partive. Ne jemi të gatshëm që të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve. Ne nuk jemi në situatë që mund të themi që jemi pro ose kundër një kandidati. Por jemi të gatshëm që të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit. Ne kemi shkuar edhe në bisedime, kemi dhënë kontribut në proces, sepse jemi të interesuar që Kosova të ketë institucione”, ka deklaruar ajo, transmeton albinfo.ch.