Kosova

Franco Foda pas humbjes ndaj Austrisë: Ndeshja ishte e barabartë, ata i shfrytëzuan gabimet tona

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur pas humbjes 3-1 ndaj Austrisë në Vjenë.

Foda vlerësoi angazhimin e futbollistëve të Kosovës, duke theksuar se skuadra nuk u dorëzua deri në fund. Sipas tij, ndeshja ishte e barabartë për sa i përket statistikave, por Austria arriti t’i shfrytëzonte më mirë gabimet e Kosovës.

“Skuadra nuk u dorëzua kurrë dhe deri në fund u përpoq ta përmbyste ndeshjen. Nëse i shikojmë vetëm statistikat, ndeshja ishte e barabartë. Por Austria ishte jashtëzakonisht e mirë në shfrytëzimin e gabimeve tona. Shpejtësia e tyre, lëvizjet dhe kalimet nga mbrojtja në sulm ishin shumë të mira”, deklaroi Foda pas ndeshjes.

Pas dy ndeshjeve, Kosova ka tri pikë në grup, falë fitores ndaj Irlandës dhe humbjes ndaj Austrisë.

Ndeshjen e radhës, Kosova do ta zhvillojë më 1 tetor ndaj Izraelit, ndërsa më 4 tetor do të përballet sërish me Austrinë, kësaj radhe në Prishtinë.