Lajme

Infermierë nga Kosova marrin njohjen për punë në Gjermani

Në mesin e 26 profesionistëve ndërkombëtarë që përfunduan procedurat e njohjes në Gjermani janë edhe profesionistë nga Kosova

Giessen – Një grup prej 26 profesionistësh ndërkombëtarë ka përfunduar me sukses procedurat për njohjen shtetërore të kualifikimeve profesionale në Gjermani dhe është gati të nisë punën në Spitalin Universitar të Giessen dhe Marburgut (UKGM), transmeton albinfo.ch.

Në mesin e profesionistëve të rinj janë edhe shtetas nga Kosova, krahas kolegëve nga Turqia, Irani, Tunizia, Turkmenistani dhe India. Nga 26 profesionistët, 23 do të angazhohen në sektorin e infermierisë, ndërsa tre si teknologë të radiologjisë mjekësore.

Për të marrë njohjen shtetërore në Gjermani, profesionistët duhet të dëshmojnë kualifikimin e fituar jashtë vendit, njohuritë e nevojshme të gjuhës gjermane, aftësinë fizike dhe besueshmërinë për ushtrimin e profesionit.

Në rastet kur kualifikimi i marrë në vendin e origjinës nuk është plotësisht i barasvlershëm me standardet gjermane, kandidatët mund t’i dëshmojnë njohuritë e tyre përmes një vlerësimi praktik dhe me gojë. Një alternativë është edhe ndjekja e një kursi përshtatës, i cili mund të zgjasë nga tre deri në 36 muaj dhe përfundon me provim.

UKGM e konsideron angazhimin e profesionistëve ndërkombëtarë veçanërisht të rëndësishëm për sektorin e infermierisë, në një kohë kur Gjermania vazhdon të përballet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Profesionistët e rinj janë uruar edhe nga drejtuesit e spitalit, ndër ta drejtoresha komerciale Dr. Christiane Hinck-Kneip dhe drejtoresha e infermierisë Judith Schäfer.

Spitali Universitar i Giessen dhe Marburgut ka 86 klinika dhe institute në dy lokacionet e tij dhe është ndër qendrat e mëdha universitare shëndetësore në Gjermani./Albinfo.ch