Kosova

Nisën fluturimet direkte Romë–Prishtinë, Kosovën dhe Italinë i lidh një linjë e re ajrore

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, e ka bërë të ditur nisjen e fluturimeve direkte, duke e cilësuar linjën si një urë të re mes dy vendeve

Nga ky muaj kanë nisur fluturimet direkte mes Romës dhe Prishtinës, duke krijuar një lidhje të re ajrore mes Kosovës dhe Italisë, përcjell albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, e cila ka marrë pjesë në nisjen e parë nga Roma, së bashku me Drejtorin për Zhvillimin e Linjave të Reja në Aeroportet e Romës, Federico Scriboni.

Me këtë rast, Shala ka përshëndetur bashkatdhetarët që udhëtonin drejt Prishtinës dhe ka theksuar rëndësinë e linjës së re për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Sipas ambasadores, kjo nuk është vetëm një lidhje e re ajrore, por edhe një mundësi për të afruar më tej njerëzit, familjet, bizneset dhe institucionet e Kosovës dhe Italisë.

“Një lidhje e re ajrore, por edhe një urë e re mes njerëzve, familjeve, bizneseve dhe institucioneve tona”, ka shkruar Shala./Albinfo.ch