Kosova

Projektligji për ndryshim të Ligjit për Specialen i dërgohet Qeverisë së Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është dërguar në Qeveri për shqyrtim.

“Në emër të partisë Kryesisë i kërkova që fillimisht Kuvendi ta ketë deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam ta kemi deklaratën e përbashkët në seancën që do mbahet të hënën. Më e rëndësishme është nisma ligjore që e kemi dorëzuar në Kuvend dhe prej Kuvendit nisma për mendim ka shkuar në Qeveri. Andaj presioni i të gjithëve duhet të jetë te Qeveria”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri, duhet të reflektojë ndërgjegje, gatishmëri dhe duhet të bëjë veprimet e nevojshme, urgjente karshi situatës me të cilën po ballafaqohet vendi pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale teksa u shpreh se kjo situatë është urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale.

Sipas tij, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, është zotuar që të angazhohet që nisma për ndryshim të ligjit të trajtohet me urgjencë.

“Këtë kërkesë dhe presion e bërë te Kryesia ku Haxhiu u zotua se personalisht do të angazhohet dhe do komunikojë me kryeministrin që kjo nismë të trajtohet me urgjencë. Të mos neglizhohet dhe të sigurohet vullneti i secilës forcë politike që të bëhet amandamenti i Ligjit për Dhomat e Specializuara karshi situatës në të cilën jemi”, ka theksuar ai, transmeton albinfo.ch.