Kosova

Shtetasi i Kosovës pranon fajësinë për operimin e tregut të paligjshëm online

Shtetasi kosovar Ardit Kutleshi, 28 vjeç, ka pranuar fajësinë në Shtetet e Bashkuara për veprat penale që lidhen me operimin e platformës online “Rydox”, një treg i paligjshëm ku shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete të përdorura për aktivitete kibernetike.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Kutleshi e ka bërë pranimin e fajësisë në Gjykatën Federale të Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë. Ai është deklaruar fajtor për vjedhje të rëndë të identitetit dhe komplot për pastrim parash.

Seanca për caktimin e dënimit është paraparë të mbahet më 9 shkurt 2027. Për akuzën e vjedhjes së rëndë të identitetit, Kutleshi përballet me së paku dy vjet burgim, ndërsa për komplotin për pastrim parash dënimi mund të arrijë deri në 20 vjet. Dënimin përfundimtar do ta përcaktojë gjykata federale.

Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se platforma “Rydox” ishte krijuar për t’u mundësuar kriminelëve kibernetikë blerjen, shitjen dhe shkëmbimin e informacioneve të vjedhura personale. Përmes saj ofroheshin edhe pajisje, të dhëna identifikuese dhe mjete të tjera që mund të përdoreshin për mashtrime dhe krime online.

Domeni i “Rydox” u konfiskua nga autoritetet amerikane në dhjetor të vitit 2024.

Sipas dokumenteve të gjykatës, platforma kishte qenë aktive të paktën që nga viti 2016 dhe kishte realizuar më shumë se 7,600 transaksione. Këto përfshinin të dhëna personale të vjedhura, mjete për qasje në sisteme dhe pajisje, dokumente identifikuese, si dhe mjete e shërbime të tjera të lidhura me krimet kibernetike.

Nga këto aktivitete, sipas autoriteteve amerikane, ishin gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.

Ardit Kutleshi ishte arrestuar në Kosovë në dhjetor të vitit 2024, së bashku me vëllain e tij, Jetmirin, pas një kërkese të autoriteteve amerikane. Të dy u ekstraduan në SHBA në prill të vitit 2025.

Edhe Jetmir Kutleshi kishte pranuar fajësinë. Ai u dënua në dhjetor të vitit 2025 dhe më pas u dëbua drejt Kosovës.

Autoritetet amerikane thonë se vëllezërit Kutleshi e kishin operuar “Rydox” për përfitime financiare, duke siguruar qindra mijëra dollarë nga shitja e të dhënave dhe mjeteve që përdoreshin nga persona të përfshirë në aktivitete kriminale online.

Sipas FBI-së, në platformë ishin ofruar të dhëna sensitive, përfshirë identitete të vjedhura dhe fjalëkalime të mijëra personave.

Hetimi është zhvilluar nga FBI-ja në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, Policinë e Kosovës, SPAK-un në Shqipëri, si dhe autoritetet policore dhe prokuroriale të Malajzisë.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se bashkëpunimi ndërkombëtar ka ndihmuar në identifikimin dhe mbylljen e këtij tregu të paligjshëm online.