Kosova

Tre vjet nga rënia e Afrim Bunjakut, vendoset gurthemeli i obeliskut në Banjskë

Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme organizojnë aktivitete përkujtimore në nderim të rreshterit të vrarë në sulmin e 24 shtatorit 2023.

Me vizita, homazhe dhe vendosjen e gurthemelit të një obelisku në Banjskë të Zveçanit, sot shënohet trevjetori i rënies në detyrë të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, përcjell albinfo.ch.

Aktivitetet përkujtimore do të nisin në orën 10:00 me vizitë te familja Bunjaku në Samadrexhë të Vushtrrisë. Në orën 10:40 do të bëhen homazhe te varri i tij, ndërsa në orën 12:00, në Banjskë, do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar rreshterit të Policisë së Kosovës.

Programi përkujtimor do të përmbyllet në mbrëmje me një akademi në nderim të Afrim Bunjakut, e cila do të mbahet nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, gjatë një sulmi të armatosur ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës. Në sulm u plagosën edhe zyrtarë të tjerë policorë.

Sulmi në Banjskë shkaktoi reagime të shumta vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë vazhduar procedurat gjyqësore ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Tre persona janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa dhjetëra të tjerë, përfshirë Milan Radoiçiqin, vazhdojnë të ndodhen në Serbi./Albinfo.ch