Lajme

Fondacioni “Bajrije Ljama”, mbështetje konkrete për studentët në Maqedoninë e Veriut

Pas 16 studentëve të mbështetur vitin e kaluar, këtë vit numri i përfituesve nga Fondacioni "Bajrije Ljama" është rritur në 27.

Nga një ide e lindur brenda familjes dhe nga dëshira për ta ruajtur kujtimin e një gruaje që besonte te mbështetja e të tjerëve, Fondacioni “Bajrije Ljama” po ndërton një urë konkrete mes diasporës në Zvicër dhe studentëve në Maqedoninë e Veriut. Përmes programit të pagesës së tarifave universitare, fondacioni mbulon dy semestrat e një viti akademik. Pas 16 studentëve të mbështetur vitin e kaluar, këtë vit numri i përfituesve është rritur në 27.

Fondacioni “Bajrije Ljama”, i themeluar në vitin 2025 në Zvicër, ka në fokus mbështetjen e të rinjve gjatë rrugëtimit të tyre akademik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Programi kryesor i fondacionit parashikon mbulimin e tarifave universitare për semestrin dimëror dhe atë veror, përkatësisht për një vit të plotë akademik.

Por pas kësaj nisme qëndron një histori personale.

Një fondacion që mban emrin dhe kujtimin e nënës

Për bashkëthemeluesin Burhan Ljama, ideja për krijimin e fondacionit lindi pas ndarjes nga jeta të nënës së tij, Bajrije Ljama, jeta e së cilës në Zvicër kishte nisur me vështirësi, por ishte karakterizuar nga përkushtimi ndaj familjes dhe gatishmëria për t’i ndihmuar të tjerët. “Ideja lindi pas ndarjes nga jeta të nënës sime. Fillimet e saj në Zvicër nuk ishin të lehta dhe ajo gjithmonë thoshte: ‘Kam ardhur në Zvicër për fëmijët e mi’. Por, përveç familjes së saj, ajo përpiqej t’u gjendej pranë edhe fëmijëve të tjerë që kishin nevojë, duke u dhënë kurajë dhe mbështetje. Doja që emri i saj të vazhdonte të jetonte përmes një vepre që ruan pikërisht këtë frymë solidariteti”, shprehet Burhan Ljama. Kështu, kujtimi familjar mori formën e një nisme të organizuar. Burhanit iu bashkuan bashkëshortja e tij Ebru Ljama dhe miku i tij Petrit Vllasi.

Në fillim, një nga sfidat kryesore ishte krijimi i një mënyre funksionale dhe transparente për administrimin e fondeve dhe realizimin e pagesave për studentët në Maqedoninë e Veriut. “Kemi shumë ide, por më e rëndësishmja ishte ta fillonim. Pastaj, hap pas hapi, të ndërtonim një sistem që funksionon dhe përmes të cilit mbështetja arrin drejtpërdrejt te studenti”, thotë Burhan Ljama.

Gjatë vitit të parë, fondet u siguruan kryesisht nga rrethi familjar dhe njerëzit e afërt me themeluesit. Në atë periudhë u mbështetën 16 studentë. Këtë vit akademik, fondacioni ka arritur të mbulojë tarifat universitare për 27 studentë.

Sipas Ebru Ljamës, përveç rritjes së numrit të përfituesve, rëndësi ka edhe larmia e drejtimeve të studimit. “Na gëzon fakti se këtë vit kemi studentë nga profile të ndryshme, përfshirë edhe drejtime deficitare që studiohen në universitetet e Maqedonisë së Veriut”, thotë ajo.

Interesi, megjithatë, ka qenë dukshëm më i madh se mundësitë aktuale financiare të fondacionit. Këtë vit janë pranuar rreth 100 aplikime, ndërsa buxheti ka mundësuar mbështetjen e 27 studentëve.

“Thuajse të gjithë e kanë merituar mbështetjen. Por këtë vit buxheti na ka lejuar të ndajmë 27 bursa. Pikërisht kjo na tregon se sa e madhe është nevoja dhe sa shumë hapësirë ka që kjo iniciativë të rritet”, thotë Burhan Ljama.

Studentët aplikojnë përmes një formulari, ku paraqesin të dhënat e tyre dhe informacionet e nevojshme për procesin e përzgjedhjes.

Për Ebru Ljamën, leximi i këtyre aplikimeve është edhe një nga momentet më të ndjeshme të punës së fondacionit.

“Kur e lexon aplikimin e një studenti, pas të dhënave sheh një histori. Edhe vetë kam qenë studente dhe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të përballesh me sfida gjatë studimeve”, shprehet ajo.

“Të investojmë te rinia”

Në filozofinë e fondacionit, mbështetja e një studenti nuk shihet vetëm si pagesë e një tarife universitare, por si investim afatgjatë në arsim dhe në zhvillimin e shoqërisë.

“Mesazhi im është të investojmë te rinia, sepse është rinia ajo që e çon përpara një shtet, një shoqëri dhe një komunitet. Vetëm duke u bashkuar mund të ndikojmë te gjërat që duam t’i ndryshojmë”, thotë Ebru Ljama.

Fondacioni synon të promovojë zhvillimin akademik dhe personal të studentëve në Maqedoninë e Veriut dhe, përmes mbështetjes së tyre, të japë një kontribut më të gjerë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit.

Sa mbulon bursa?

Shuma e mbështetjes ndryshon në varësi të universitetit dhe kategorisë në të cilën studion studenti.Sipas drejtuesve të fondacionit, për studentët me kuotë shtetërore tarifa universitare mund të jetë rreth 100 euro për semestër, përkatësisht rreth 200 euro për një vit akademik, ndërsa në universitete private apo kategori të tjera kostoja mund të arrijë deri në rreth 500 franga zvicerane në vit. Fondacioni merr përsipër pagesën e dy semestrave për studentin e përzgjedhur.

Për të krijuar një bazë më të strukturuar për sigurimin e fondeve dhe përfshirjen e donatorëve, në kantonin Ticino është themeluar edhe Shoqata “Bajrije Ljama”.

Përmes saj synohet që individët, mërgimtarët dhe kompanitë që duan ta mbështesin nismën të kenë mundësi të kontribuojnë në mënyrë të organizuar dhe transparente.

Diaspora dhe lidhja me vendin e origjinës

Megjithëse jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, themeluesit e fondacionit e konsiderojnë mbështetjen e arsimit një nga mënyrat më konkrete për të ruajtur lidhjen me vendin e origjinës.

“Edhe pse jemi në mërgim, duam t’i kthejmë diçka vendit tonë. Për ne, nuk ka mënyrë më të mirë sesa përmes arsimit, sepse një popull përparon vetëm duke investuar në dije”, thotë Burhan Ljama.

Për momentin, aktiviteti i fondacionit është përqendruar në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, drejtuesit thonë se në të ardhmen synojnë që nisma të zgjerohet edhe në vendet e tjera të rajonit.

Kur një bursë ka peshë përtej shumës së saj

Për studentët përfitues, mbështetja financiare mund të nënkuptojë më shumë sesa thjesht pagesën e një semestri.

Pranvera Koxha, studente në Fakultetin e Stomatologjisë “Shën Pantelejmon” në Shkup, thotë se rëndësia e një burse bëhet edhe më e madhe kur, krahas studimeve, duhet të përballosh edhe përgjegjësi familjare.

“Kjo bursë është shumë e rëndësishme për studentët, por sidomos kur, krahas studimeve, je edhe nënë dhe kryefamiljare”, thotë Koxha.

Edhe Amra Ilijaz, e cila ka përvojë të mëparshme në një fondacion bursash, e vlerëson veçanërisht faktin që iniciativa vjen nga diaspora. “Është një gjest me vlerë të madhe kur njerëzit që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mendojnë për vendin e tyre dhe vendosin të lënë një gjurmë përmes arsimit, duke u dhënë studentëve mbështetje morale dhe financiare”, thotë Ilijaz.

Ndërsa Imla Zeneli, studente e logopedisë dhe bashkëpunëtore e fondacionit, beson se projekti është vetëm në fillimet e tij.“Jam shumë e lumtur dhe krenare që kjo nismë është bërë realitet. Besoj se ëndrrat dhe synimet e fondacionit do të realizohen, sepse ky është vetëm fillimi. Për studentët, një ndihmë e tillë mund të ketë shumë rëndësi”, shprehet Zeneli.

“Kur mbështet një student, investon në të ardhmen”

Në përmbyllje, Ebru Ljama u drejtohet veçanërisht mërgimtarëve në Zvicër, duke i ftuar që, sipas mundësive, të përfshihen në mbështetjen e studentëve.“Mesazhi im është të investojmë te rinia, sepse është pikërisht ajo që e çon përpara një shoqëri, një komunitet dhe një shtet. U bëj thirrje edhe mërgimtarëve tanë në Zvicër që, sipas mundësive të tyre, të mbështesin studentët. Kur ndihmon një të ri në rrugën e tij akademike, nuk po paguan vetëm një tarifë universitare; po i jep më shumë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e vet”, thotë Ebru Ljama.

Për Burhan Ljamën, kjo është edhe mënyra më kuptimplotë për ta mbajtur gjallë lidhjen me vendin nga vijnë. “Edhe pse jetojmë në mërgim, duam t’i kthejmë diçka vendit tonë. Për ne, një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është përmes arsimit. Një shoqëri ecën përpara kur u krijon të rinjve mundësi për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për ta ndërtuar vetë të ardhmen e tyre”, përfundon Burhan Ljama.

Nga 16 studentë të mbështetur në vitin e parë në 27 këtë vit, Fondacioni “Bajrije Ljama” është ende në fazën e zgjerimit. Por pas çdo burse qëndron një student, një familje dhe shpesh, një pengesë më pak në rrugën drejt diplomimit.

Më shumë informacione dhe donacione në: Fondacioni “Bajrije Ljama” – faqja zyrtare

Instagram – Bajrije Ljama Foundation

Për albinfo.ch Luljeta Ademi