Kosova

Rriten dërgesat nga diaspora: 692 milionë euro në 6 muajt e parë të vitit

Vetëm Gjermania me 38% dhe Zvicra me 20% së bashku sigurojnë mbi gjysmë e remitencave

Diaspora me remitencat e saj në Kosovë ka vazhduar të shënojë rritje edhe në këtë vit. Kontributi i diasporës në këtë mënyrë mbetet një burim ndër më kryesorët për ekonominë e vendit.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në të dhënat e saj më të fundit, të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) konstaton se gjatë periudhës janar-qershor 2026 remitencat arritën vlerën prej 692 milionë eurosh.

Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (2025).

Gjermania prin bindshëm si burimi kryesor me 38.2% të totalit të dërgesave. Zvicra renditet e dyta me 20.4% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në vendin e tretë me 6.4%. Siç mund të shihet, vetëm dy shtetet e përmendura evropiane (Gjermania dhe Zvicra) së bashku sigurojnë mbi gjysmë e remitencave.

Ndikimi i diasporës në ekonominë vendore ka qenë historikisht i lartë. Të dhënat e BQK-së dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se gjatë periudhës 2008–2025, vlera totale e remitencave të pranuara në Kosovë ka kapur shifrën e 15.2 miliardë eurove.

Përgjatë dekadës së fundit, dërgesat e mërgimtarëve kanë përfaqësuar vazhdimisht midis 12% dhe 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës, duke gjeneruar konsum familjar dhe stabilitet financiar për mijëra familje kosovare.