Kosova

Identifikohet Idriz Rrecaj, njëri nga 23 viktimat, pjesë e Grupit të Intelektualëve

Për familjen Rrecaj, konfirmimi i identitetit shënon fundin e një pritjeje 27-vjeçare, por njëkohësisht rikthen dhimbjen e humbjes

Familja e Idriz Rrecajt njofton se kanë marrë informacion zyrtar nga institucionet e Kosovës për mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Në njoftimin e djalit të tij, thuhet se në mesin e intelektualëve, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur është identifikuar edhe Idriz Rreci. Mes tjerash, djali i tij ka thënë se pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?”, i erdhi fundi dhe se pas 27 vitesh kanë marrë përgjigjen e pritur gjatë.

“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj. Pyetjes “Ku është Idriz Rrecaj?” i erdhi fundi. Pas 27 vitesh, më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë. Mirënjohje të thellë për të gjitha institucionet e shtetit dhe për çdo person që ka punuar ndër vite për zbardhjen e fatit të tij dhe të personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e djalit të Idriz Rrecit, Shpëtim Rrecaj.

Për familjen Rrecaj, konfirmimi i identitetit shënon fundin e një pritjeje 27-vjeçare, por njëkohësisht rikthen dhimbjen e humbjes dhe kujtimet për një periudhë të rëndë të luftës në Kosovë.

Familja ka shprehur mirënjohje për institucionet e Kosovës dhe të gjithë ata që ndër vite kanë punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Gjaku nuk humb kurrë!”, ka shkruar Shpëtim Rrecaj.