Lajme

“Jo në emrin tim!” – të rinjtë shqiptarë organizojnë sot tubim në Cyrih

Tubimi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së mbahet sot në Helvetiaplatz, duke filluar nga ora 15:00

Një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër ka organizuar një tubim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor në Hagë, transmeton albinfo.ch.

Tubimi, me moton “Jo në emrin tim!”, do të mbahet sot, të shtunën, më 19 shtator, në Helvetiaplatz në Cyrih, duke filluar nga ora 15:00.

Sipas njoftimit të organizatorëve, qëllimi i tubimit është që përmes një proteste paqësore të shprehet kundërshtimi ndaj asaj që ata e cilësojnë si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Organizatorët u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të jenë të pajisur me flamuj kombëtarë, si dhe flamuj e simbole të UÇK-së.

Sipas tyre, tubimi është lejuar zyrtarisht nga Policia e Cyrihut.

Për pjesëmarrësit e interesuar, organizatorët kanë publikuar edhe një adresë kontakti për informata të mëtejshme./Albinfo.ch