Ka përfunduar protesta e organizuar sot në Prishtinë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, transmeton albinfo.ch.
Gjatë protestës u lexuan katër kërkesa, të cilat organizatorët thanë se janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, përkatësisht Qeverisë dhe Presidencës.
Njëra prej kërkesave ishte edhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Duke iu referuar institucioneve, nga protesta u tha: “Çka është një ministër pa popullin? Popullin nuk e keni mbrapa”.
Katër kërkesat e paraqitura nga protestuesit ishin:
Kërkesa e parë: Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa e dytë: Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kërkesa e tretë: Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Kërkesa e katërt: Angazhimi i ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për procesin gjyqësor.
Protesta u mbajt pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë./Albinfo.ch