Kosova

Kurti pas aktgjykimit në Hagë: Padrejtësi e papranueshme, duhet të korrigjohet në apel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “padrejtësi të papranueshme” aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke kërkuar që ai të ndryshohet në shkallën e apelit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar dënimin e tyre si “padrejtësi të papranueshme”, raporton albinfo.ch.

Kurti ka deklaruar se aktgjykimi, sipas tij, është “ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ndërsa ka thënë se ai duhet të ndryshohet dhe korrigjohet në shkallën e apelit.

“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë të katër ish-krerët në procedurën e apelit.

Në reagimin e tij, Kurti ka vënë theksin edhe te dallimi mes aktgjykimit ndaj individëve dhe vlerësimit të luftës së UÇK-së. Sipas tij, procesi në Hagë nuk e ka gjykuar legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Kurti ka deklaruar gjithashtu se Dhomat e Specializuara nuk e kanë mbështetur pretendimin për një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile dhe se disa nga akuzat më të rënda të ngritura në fillim të procesit, përfshirë pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, nuk u ngritën në aktgjykimin përfundimtar për shkak të mungesës së provave.

Aktgjykimi i shpallur më 16 shtator i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Gjykata i shpalli fajtorë për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan në nivelin e kërkuar nga trupi gjykues. 

Kurti ka kritikuar edhe mandatin e Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se përgjegjësia penale është përqendruar te pjesëtarët e një pale të luftës, ndërsa krimet e kryera nga forcat serbe, sipas tij, nuk janë trajtuar nga i njëjti mekanizëm.

“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale”, ka deklaruar kryeministri.

Në përmbyllje, Kurti ka theksuar se, sipas tij, aktgjykimi ka trajtuar akuza dhe veprime konkrete ndaj individëve, por nuk mund të përcaktojë arsyet historike që çuan në krijimin e UÇK-së.

“Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Kurti./Albinfo.ch