Kosova

Joseph për verdiktin e Hagës: Një vendim me pasoja të forta për Kosovën dhe rajonin

Profesori amerikan Edward P. Joseph ka reaguar pas shpalljes fajtorë të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke paralajmëruar ndikim të madh të aktgjykimit në Kosovë dhe rajon.

Profesori amerikan Edward P. Joseph ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shpallur fajtorë, raporton albinfo.ch.

Në një postim në rrjetin social X, Joseph ka shkruar se të katër të akuzuarit nga Kosova, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, janë shpallur fajtorë nga Dhomat e Specializuara.

“Të katër të pandehurit nga Kosova, përfshirë ish-presidentin Thaçi, janë shpallur fajtorë në vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka shkruar Joseph.

Ai e ka lidhur reagimin e tij edhe me qëndrimet e Serbisë ndaj ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq.

“Pas glorifikimit të Ratko Mlladiqit nga Serbia, ky vendim do të jehonë me dyfishin e intensitetit negativ në Kosovë dhe në rajon”, ka shkruar profesori amerikan.

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së u shpall më 16 shtator në Hagë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim./Albinfo.ch