Kosova

Shqiptarët në Hagë dhe Kosovë presin vendimin për krerët e UÇK-së

Qindra qytetarë janë mbledhur në Hagë, Prishtinë, Skënderaj dhe qytete të tjera të Kosovës, në pritje të shpalljes së aktgjykimit

Pak metra larg selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, qindra shqiptarë janë mbledhur me flamuj dhe pankarta në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, për të pritur shpalljen e aktgjykimit, përcjell albinfo.ch.

Në zonën ku janë mbledhur qytetarët është zhvilluar edhe “Nata e Pritjes”, ndërsa është vendosur edhe “Ora e Pritjes”, si pjesë e aktiviteteve para shpalljes së vendimit.

Në të njëjtën kohë, qytetarë janë mbledhur edhe në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa aktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në Skënderaj dhe qytete të tjera të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot, më 16 shtator, në orën 10:00, nisin shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Seanca është publike dhe transmetohet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

Aktgjykimi vjen pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur më shumë se tre vjet, ndërsa katër ish-krerët e UÇK-së janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar./Albinfo.ch