Shqipëria

Nafta në Shqipëri më shtrenjtë se në Zvicër, e treta në Evropë

Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë (2.46 euro), duke e renditur vendin të tretin në Evropë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro

Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Evropë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale është edhe më e lartë kur çmimi i karburantit vihet përballë të ardhurave.

Një litër naftë në Shqipëri kërkon një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave ditore sesa në shumicën e vendeve evropiane, duke e bërë furnizimin e një automjeti dukshëm më të kushtueshëm në raport me të ardhurat.

Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë (2.46 euro), duke e renditur vendin të tretin në Evropë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Në rajon, në Serbi nafta ka arritur në gati 2 euro, në mal të Zi 1.87 euro, Bosnjë Hercegovinë 1.76, në Mal të Zi 1.87 euro, në Kosovë 1.85 euro dhe më i liri është në Maqedoninë e Veriut, me 1.64 euro, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Mesatarja evropiane e çmimit në vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.

Por çmimi në pompë nuk është treguesi i vetëm që duhet parë. Një litër naftë prej 2.46 eurosh ka peshë krejt të ndryshme për një shqiptar, një danez apo një norvegjez, për shkak të diferencave të mëdha në të ardhura.

Për të matur këtë diferencë, Monitor ka krahasuar çmimin e naftës, bazuar në çmimet e naftës të publikuara nga Global Petrol Prices, me të ardhurat për frymë të publikuara nga FMN për vitin 2026, të matura sipas fuqisë blerëse (PPP).

Ky tregues merr parasysh ndryshimet në nivelet e çmimeve mes vendeve dhe përdoret për të krahasuar më drejt standardin ekonomik dhe atë që mund të blejnë qytetarët me të ardhurat e tyre.

Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit. Të ardhurat ditore për frymë janë rreth 69.2 dollarë, ndërsa një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, më e larta në Evropë.

Një danezi, në vendin ku nafta është më e shtrenjta në vlerë, i duhen 1.06% e të ardhurave ditore për të boerë një litër naftë, teksa të ardhurat ditore për frymë janë 245 dollarë ndërkombëtare, ose gati 10 herë më të larta se një shtetas shqiptar.

Në Norvegji, që është shteti i tretë me të ardhurat më të larta për frymë në Evropë, sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, duhen 0.8% e të ardhurave ditore.

Në të gjitha vendet evropiane të marra në analizë, mesatarja e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë është 1.36%. Pra, për një qytetar shqiptar, blerja e një litri naftë përfaqëson rreth 2.6 herë më shumë të ardhura ditore sesa për një qytetar evropian mesatar dhe këtu janë përfshirë të gjitha shtetet e Evropës.

Nëse krahasimi bëhet vetëm për vendet e Bashkimit Evropian, që kanë të ardhura për frymë më të larta se pjesa tjetër, mesatarja është 1.14%, pra një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 3.1 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore për të blerë një litër naftë, krahasuar me qytetarin mesatar të BE-së.

Në rajon, në raport me fuqinë blerëse, më e shtrenjtë pas Shqipërisë është në Kosovë, ku duhen 3.1% e të ardhurave ditore të matura sipas fuqisë blerëse, duke u renditur dhe e dyta më e shtrenjtë në Evropë. Nafta në Kosovë është më e lirë se në Shqipëri, në 1.85 euro, por Kosova ka të ardhura ditore gati 60 dollarë ndërkombëtare, që janë 14% më të ulëta se në Shqipëri.

Renditjen e vijon Bosnjë Hercegovina (2.66%), Serbia (2.09%). Më e lirë në raport me të ardhurat nafta është në Maqedoninë e Veriut, që e ka më të lirën dhe në vlerë si dhe në Mal të Zi, me përkatësisht 1.89% dhe 1.88%.