Kosova

Prishtina synon të tërheqë investime austriake në transport, energji dhe infrastrukturë

Projektet strategjike të kryeqytetit u prezantuan para një delegacioni të bizneseve austriake, me fokus në mobilitetin urban, infrastrukturën mjedisore dhe partneritetet publiko-private

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar projektet strategjike dhe potencialin investues të kryeqytetit para përfaqësuesve të bizneseve austriake, në kuadër të Misionit Ekonomik për Infrastrukturën e Transportit dhe Energjisë.

Takimi, i organizuar nga Advantage Austria Kosovo, kishte për qëllim prezantimin e mundësive për bashkëpunim dhe investime në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e Prishtinës.

Sipas Ramës, në fokus të prezantimit ishin projektet që lidhen me mobilitetin urban, infrastrukturën mjedisore dhe zhvillimin e partneriteteve publiko-private.

Kryetari i Prishtinës theksoi se kryeqyteti synon të ndërtojë partneritete ndërkombëtare që mund të sjellin ekspertizë, teknologji dhe kapital të ri, transmeton albinfo.ch.

“Prishtina ka vizionin, projektet dhe potencialin për investime serioze”, ka deklaruar Rama, duke theksuar synimin që bashkëpunimet e tilla të shndërrohen në projekte konkrete zhvillimore për kryeqytetin.

Misioni ekonomik paraqet gjithashtu një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht në fushat e transportit, energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban.