Kosova

Hagë: Aktgjykimi ndaj Thaçit nis i pari, pas tij Veseli, Selimi e Krasniqi

Seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pritet të zgjasë më shumë se një orë e gjysmë. Vendimi do të shpallet nesër, më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të shpallet veçmas për secilin prej tyre, ndërsa seanca pritet të jetë e gjatë për shkak të numrit të pikave të aktakuzës dhe procedurës së përcaktuar nga trupi gjykues, transmeton albinfo.ch.

Sipas gazetares së Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton nga Haga, i pari që do ta dëgjojë aktgjykimin do të jetë Hashim Thaçi. Pas tij do të vijojë shpallja e vendimit për Kadri Veselin, më pas për Rexhep Selimin dhe në fund për Jakup Krasniqin.

Dhjetë pika të aktakuzës

Për secilin prej katër të akuzuarve do të shqyrtohen një nga një pikat e aktakuzës.

Aktakuza përmban gjithsej 10 pika, prej të cilave gjashtë lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte.

Mbrojtja e katër të akuzuarve kishte kërkuar që shpallja e verdiktit dhe, në rast të një vendimi dënues, përcaktimi i dënimit të bëheshin në ditë të ndryshme.

Kjo kërkesë ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Specializuar.

Megjithatë, trupi gjykues vendosi që të ndiqet e njëjta procedurë e aplikuar edhe në rastet e tjera të trajtuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Palët kanë 15 ditë për parashtresa

Pas shpalljes së aktgjykimit, palët do të kenë 15 ditë kohë për të dorëzuar parashtresat e tyre pranë trupit gjykues.

Ky afat vlen si për ekipet mbrojtëse, ashtu edhe për Prokurorinë e Specializuar.

Seanca e 16 shtatorit pritet të jetë ndër momentet më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, i cili po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.