Lajme

Zvicra nis përdorimin e rezervave emergjente të karburantit

Autoritetet kanë autorizuar lirimin e 60 mijë metrave kub karburant, pas problemeve në rafinerinë e Cressierit dhe vështirësive të transportit për shkak të nivelit të ulët të Rinit.

Zvicra ka nisur të përdorë rezervat emergjente të karburantit për herë të parë këtë vit, me qëllim që të sigurojë furnizimin e pandërprerë me benzinë dhe naftë.

Zyra Federale për Furnizimin Ekonomik Kombëtar ka autorizuar lirimin e 60 mijë metrave kub karburant nga rezervat strategjike. Sasia do të vihet në dispozicion nga 9 deri më 20 shtator 2026, transmeton albinfo.ch.

Vendimi është marrë pas një defekti teknik në rafinerinë e Cressierit, në kantonin Neuchâtel, e cila mbulon zakonisht rreth një të tretën e kërkesës së Zvicrës për karburant. Situata është vështirësuar edhe nga niveli i ulët i ujit në lumin Rin, i cili ka kufizuar transportin dhe furnizimet.

Megjithatë, autoritetet theksojnë se furnizimi me karburant mbetet i sigurt dhe aktualisht nuk ka arsye për shqetësim. Prodhimi në rafinerinë e Cressierit pritet të rikthehet në normalitet nga mesi i shtatorit.