Kosova
Fatmir Sheholli mohon fajësinë, Prokuroria: Vepronte me urdhra të BIA-s
I akuzuari për spiunazh e shantazh, Fatmir Sheholli, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare që u mbajt sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“E ndiej veten të pafajshëm”, deklaroi ai pas leximit të aktakuzës.
Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kodraliu deklaroi se sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si ‘BIA’), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli, ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë te ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Po ashtu i pandehuri, në kuadër të këtyre aktiviteteve, ka zbatuar në tërësi edhe një plan operativ konkret, të përgatitur nga i njëjti zyrtar i BIA-së, i cili synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më datë. 12.10.2025, në atë mënyrë që më datë 26.09.2025, rreth orës 14:00, i shoqëruar nga një anëtar i familjes së tij, dhe duke përdorur automjetin e markës ‘Audi’, ka udhëtuar për në Mitrovicën e Veriut, dhe në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë ‘Sindikata’, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5,000.00 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre, i cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij ‘Pa Rrotlla’, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës. Me këto veprime, i pandehuri Fatmir Sheholli, në vazhdimësi e ka kryer veprën penale ‘’Spiunazhi’’.
Ai akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë.
Sipas prokurorit, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka kërkuar para nga i dëmtuari, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, do t’ia dëmtonin nderin, reputacionin dhe autoritetin.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2022, e në vazhdimësi deri në muajin dhjetor 2025, përfshirë edhe periudhën sa ndodhej nën masën e paraburgimit, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka shantazhuar tani të dëmtuarin Arben Jetullahu, pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13,000.00 euro, duke i kërkuar para kinse në emër të huazimit, përmes kërcënimit se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit, çka këto veprime të të pandehurit janë vërtetuar edhe përmes rezultateve mbi zbatimin e masave të veçanta hetimore, të urdhëruara nga gjykata kompetente, gjatë të cilave janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të të pandehurit drejtuar të dëmtuarit, edhe periudhën gjatë së cilës i pandehuri ndodhej nën masën e paraburgimit, kur, përmes një familjari të tij, të dëmtuarit i ka dërguar porosi kërcënuese, duke i kërkuar pagesë mujore në shumën prej 700.00 euro, me paralajmërimin se, në të kundërtën, do të publikonte një video-incizim që do t’ia dëmtonte rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin, ndërsa si pasojë e këtyre kërcënimeve dhe nga frika e realizimit të tyre, i dëmtuari, përmes një punëtori të tij, ia ka dorëzuar familjarit të të pandehurit shumën prej 5 mijë euro. Me këto veprime, i pandehuri Fatmir Sheholli, në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, tha ai.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro Furxhi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që... -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?













