Kosova

Moment historik për QSU-në, kadeti nga Kosova nis studimet në SHBA me bursë

Për herë të parë në historinë e Qendrës për Studime Universitare, një kadet do të ndjekë studime semestrale në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara, me bursë studimi.

Një kadet i Qendrës për Studime Universitare (QSU) ka nisur studimet semestrale në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me bursë studimi, transmeton albinfo.ch.

Kjo është hera e parë në historinë e QSU-së që një kadet i këtij institucioni përfiton një mundësi të tillë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në avancimin e edukimit ushtarak dhe akademik të kadetëve.

Kjo arritje vlerësohet gjithashtu si rezultat i vizionit dhe përkushtimit të Komandantit të FSK-së, gjeneral Jashari, dhe Komandantit të QSU-së, major Budeci, për zhvillimin profesional të kadetëve dhe krijimin e mundësive të reja për shkollim e përvojë akademike ndërkombëtare.

Suksesi i kadetit dëshmon nivelin akademik, profesional dhe ushtarak të arritur nga kadetët e QSU-së, duke u mundësuar atyre të konkurrojnë dhe të studiojnë përkrah bashkëmoshatarëve nga akademi e universitete prestigjioze ndërkombëtare.

Kjo mundësi përtej përvojës individuale akademike përfaqëson edhe një investim në gjeneratën e ardhshme të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Njëkohësisht, ajo dëshmon potencialin e kadetëve kosovarë për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në institucionet e njohura akademike dhe ushtarake ndërkombëtare./Albinfo.ch