Skip to content

Përparim Rama shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së, kërkon dorëheqjen e Abdixhikut

Kryetari i Prishtinës konfirmon se do të garojë për drejtimin e LDK-së në zgjedhjet e brendshme të vitit të ardhshëm, ndonëse vazhdimisht ka deklaruar se nuk është anëtar i kësaj partie.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme të partisë që pritet të mbahen vitin e ardhshëm. Ai i ka bërë gjithashtu thirrje kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje, përcjell albinfo.ch.

Në një deklarim për media, Rama tha se rezultatet e tij në kryeqytet e mbështesin ambicien për të drejtuar partinë.

“Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së. Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë. Mendoj që kishte bërë mirë të dorëhiqet Abdixhiku. Ashtu duhet me bë”, deklaroi Rama.

Rama u bë kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, kur u prezantua nga vetë Abdixhiku. Ai u zgjodh kryetar i kryeqytetit në vitin 2021 dhe u rizgjodh në vitin 2025. Megjithatë, Rama ka përsëritur vazhdimisht se nuk është anëtar i LDK-së.

Ditë më parë, Abdixhiku iu ishte përgjigjur ambicieve të Ramës për drejtimin e partisë përmes një paraqitjeje publike, ku kishte pozuar me një filxhan me portretin e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe mbishkrimin “LDK vetëm e LDK-së”.

Abdixhiku u zgjodh kryetar i LDK-së më 14 mars 2021, në zgjedhjet e brendshme të jashtëzakonshme, ndërsa në nëntor 2023 u konfirmua në këtë pozitë në zgjedhjet e rregullta.

Pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ai ofroi dorëheqjen dhe ia la vendimin Kuvendit të partisë. Më 31 janar 2026, Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit, njësoj si më 30 korrik të po atij viti.

Në tri palë zgjedhje, LDK-ja nën drejtimin e Abdixhikut është renditur në vendin e tretë./Albinfo.ch