Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka deklaruar se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian, duke veçuar për Kosovën nevojën për të vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit, përcjell albinfo.ch.
Para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, Kos ka përmendur sfidat kryesore me të cilat përballen vendet e rajonit në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, për Malin e Zi moment vendimtar është përfundimi i negociatave të anëtarësimit, për Serbinë zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për Shqipërinë ruajtja e ritmit të reformave dhe integrimit evropian.
“Për Kosovën, zgjedhja vendimtare është të vazhdojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit”, ka deklaruar Kos, duke theksuar rëndësinë e takimit të liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të procesit të zgjerimit në Mal të Zi.
Procesi i Berlinit synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat dhe nuk ka nisur negociatat formale për anëtarësim.
Përveç reformave institucionale dhe forcimit të sundimit të ligjit, rruga evropiane e Kosovës lidhet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./Albinfo.ch