Automjetet e mëdha mund të përballen me një ndalim të ri në transportin hekurudhor përmes tunelit Furka, i cili lidh Oberwaldin në kantonin Valais me Realpin në kantonin Uri, transmeton albinfo.ch.
Sipas planit të Matterhorn Gotthard Bahn, nga 1 nëntori automjetet me lartësi mbi 3.05 metra nuk do të lejohen më të transportohen në trenat që kalojnë përmes tunelit.
Masa do të prekë veçanërisht kamionët, autokarvanët dhe automjetet e tjera të larta.
Arsyeja: siguria
Kompania hekurudhore ka propozuar këtë kufizim për arsye sigurie. Transporti i automjeteve përmes tunelit Furka bëhet me tren, duke mundësuar lidhjen rrugore mes Oberwaldit dhe Realpit, sidomos gjatë periudhave kur kalimi rrugor përmes qafës së Furkës është i pamundur.
Sipas planit të ri, kufiri maksimal i lejuar për automjetet do të jetë 3.05 metra lartësi.
Megjithatë, ndalimi ende nuk është përfundimtar. Zyra Federale e Transportit e Zvicrës duhet të marrë vendimin përfundimtar lidhur me propozimin.
Nëse masa miratohet, drejtuesit e automjeteve mbi këtë lartësi do të duhet të përdorin rrugë alternative për të kaluar mes kantoneve Valais dhe Uri. /Albinfo.ch