Kosova

Pesë kadetë nga Kosova diplomojnë në Akademinë Ushtarake të Turqisë

Ministri Ejup Maqedonci mori pjesë në ceremoninë e diplomimit dhe vlerësoi bashkëpunimin Kosovë–Turqi në fushën e mbrojtjes dhe edukimit ushtarak

Pesë kadetë nga Kosova kanë përfunduar me sukses studimet në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, transmeton albinfo.ch. 

Ceremonia e diplomimit u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të organizuara me rastin e Ditës së Fitores së Turqisë, ku mori pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Me këtë rast, Maqedonci përgëzoi kadetët kosovarë për përkushtimin, disiplinën dhe rezultatet e treguara gjatë viteve të studimit, duke u uruar atyre sukses në karrierën e tyre të ardhshme dhe në shërbim të Republikës së Kosovës.

Takime me presidentin Erdogan dhe ministrin Güler

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ceremonisë Maqedonci u takua edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler.

Maqedonci u përcolli atyre urimet me rastin e Ditës së Fitores së Turqisë.

Në fokus të takimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes.

“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë është i rëndësishëm dhe mbështetja në edukim, trajnim dhe përgatitje profesionale të kuadrove të reja ushtarake përbën një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Diplomimi i pesë kadetëve nga Kosova në Akademinë Ushtarake të Turqisë shihet kështu si një tjetër hap në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në edukimin dhe përgatitjen profesionale të kuadrove të reja ushtarake./Albinfo.ch