Kosova

Edhe një përpjekje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga Kosova

Delegacioni kosovar i dorëzoi Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë kërkesë zyrtare për të zhdukurit e Kosovës

Sot, një delegacion, i përbërë nga z. Andin Hoti, Ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, znj. Mirishahe Limani Hiler, themeluese dhe kryetare e Shoqates kulturore në Gjenevë ‘Dora Distria’, dhe mbështetës të tjerë nga mërgata shqiptare zhvilluan takim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, me përfaqësues të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.

“Në takim ngritëm çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe kërkuam angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre. Edhe më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës, familjet vazhdojnë të presin përgjigje për më të dashurit e tyre”, thotë z. Hoti në një prononcim për albinfo.ch.

 

“Duke pasur parasysh se Serbia është shtet palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, kërkuam që ajo të mbahet përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kjo Konventë, përfshirë detyrimin për të bashkëpunuar në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur, sigurimin e informacionit relevant dhe garantimin e së drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën”, vazhdon prononcimi.

“Përfaqësuesve të OKB-së iu dorëzua edhe një kërkesë zyrtare « Letër nga Kosova » për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurimin e informacionit dhe dokumentacionit që mund të ndihmojë në lokalizimin e personave të zhdukur, zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së tyre dhe avancimin e drejtësisë.

Çështja e personave të zhdukur me dhunë nuk mund të mbetet peng i kohës apo i vullnetit politik. Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën.
Takimi eshtë zhvilluar në një frymë të shëndoshë komunikimi ku shprehet qartë mesazhi i déshirës për të vazhduar bashkëpunimin edhe ne të ardhmen duke vlersuar lart edhe rolin e shoqërisë civile shqipare ne Gjeneve”, përfundon prononcimi.