Lajme

Presidenti i Finlandës: Rusia nuk ka gjasa të sulmojë një vend të NATO-s

Alexander Stubb thotë se nuk ka prova konkrete për një skenar të tillë, por kërkon që Aleanca të mbetet vigjilente

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se nuk beson se Rusia ka gjasa të ndërmarrë një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, Stubb ka thënë se, pavarësisht paralajmërimeve për rreziqe të mundshme nga Rusia, aktualisht nuk ka prova konkrete që tregojnë se Moska po përgatitet për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Aleancës, përcjell albinfo.ch.

Sipas presidentit finlandez, NATO ka epërsi të konsiderueshme në armët konvencionale, raketore dhe bërthamore, ndërsa Rusia do ta kishte shumë të vështirë të përballej ushtarakisht me Aleancën.

Stubb ka vlerësuar gjithashtu se Rusia aktualisht nuk ka kapacitet për të zhvilluar një luftë të madhe në disa fronte, për shkak të humbjeve të mëdha që po pëson në Ukrainë dhe vështirësive për t’i zëvendësuar ato.

Megjithatë, ai ka theksuar se NATO duhet të vazhdojë të jetë vigjilente dhe ka paralajmëruar edhe për përdorimin e luftës informative nga Rusia me qëllim të përhapjes së frikës në Evropë.

Presidenti finlandez ka përsëritur edhe mbështetjen për Ukrainën, duke e cilësuar vazhdimin e ndihmës evropiane për Kievin si një element të rëndësishëm për sigurinë e kontinentit.