Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se interesi i kompanive të huaja për mundësitë e investimeve në Kosovë po rritet vazhdimisht.
Sipas saj, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është pritur një delegacion biznesesh nga Libani, Turqia, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, përcjell albinfo.ch.
Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanive nga fusha të ndryshme, nën organizimin e “Strategic Group”, të drejtuar nga Arianit Shehu.
Kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë si energjia, bujqësia, turizmi, montimi i konstruksioneve metalike, teknologjia, inxhinieria dhe fusha të tjera.
Kusari-Lila tha se gjatë takimit është diskutuar për transformimin industrial dhe mundësitë konkrete që Kosova u ofron investitorëve të huaj. Ajo përmendi edhe investimet në ndërtimin e parqeve industriale në disa komuna, me synim rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për investitorët.
Sipas ministres, Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si vend tërheqës për investime, falë harmonizimit të politikave me ato të Bashkimit Evropian, popullsisë së re, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe politikave fiskale.