Lajme

Çmimet e naftës bien ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare

Brent zbriti nën 89 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet po përcjellin zhvillimet rreth Iranit dhe Ngushticës së Hormuzit

Çmimet e naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, ndërsa investitorët po vlerësojnë zhvillimet e fundit rreth Iranit dhe ndikimin e tyre në furnizimet globale.

Nafta Brent, që shërben si referencë për tregun ndërkombëtar, ra me 3.9 për qind, duke u mbyllur në 88.58 dollarë për fuçi. Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ra me 3.1 për qind, në 82.36 dollarë për fuçi, përcjell albinfo.ch.

Rënia erdhi pasi tregjet reaguan më qetë ndaj fushatës së re të sanksioneve ekonomike të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, duke e vlerësuar presionin ekonomik si më pak të rrezikshëm për furnizimet me naftë sesa një përshkallëzim i drejtpërdrejtë ushtarak.

Në lëvizjen e çmimeve kanë ndikuar edhe pritjet për një rikthim të dialogut, pas diskutimeve mes Iranit dhe Omanit lidhur me mundësinë e krijimit të një korridori të përkohshëm të sigurt për lundrim në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, rreziku për furnizimet globale mbetet i pranishëm. Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë dhe çdo tension i ri në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e naftës.