Lajme

Facebook dhe TikTok akuzohen se lehtësojnë rekrutimin e të miturve nga grupet e armatosura në Kolumbi

Human Rights Watch (HRW) paralajmëron se platformat sociale nuk po arrijnë të ndalojnë përhapjen e përmbajtjeve që synojnë rekrutimin e fëmijëve nga grupet e armatosura në Kolumbi. Sipas organizatës, algoritmet e platformave madje duket se i promovojnë këto materiale.

Facebook dhe TikTok nuk po arrijnë të parandalojnë përhapjen e përmbajtjeve të publikuara nga grupet e armatosura në Kolumbi, të cilat synojnë rekrutimin e të miturve. Madje, sipas Human Rights Watch, algoritmet e këtyre platformave “duket se i promovojnë” këto materiale.

Gjatë gjashtë dekadave të konfliktit të armatosur në Kolumbi, grupet guerile dhe trafikantët e drogës kanë rekrutuar fëmijë dhe adoleshentë, veçanërisht nga komunitetet në kushte të vështira ekonomike.

Në vitet e fundit, përdorimi i rrjeteve sociale ka “kontribuar në rritjen e ndjeshme të rekrutimit të fëmijëve”, thekson HRW. Organizata ka dokumentuar rreth 1,500 raste që nga viti 2021, bazuar në të dhëna zyrtare.

Më shumë se 30% e të miturve të rekrutuar nga grupet e armatosura janë të moshës 10 deri në 14 vjeç, ndërsa pothuajse gjysma e tyre i përkasin komuniteteve indigjene. Sipas HRW, rekrutimi i tyre mund të konsiderohet krim lufte sipas së drejtës ndërkombëtare.

Vajzat, të cilat përbëjnë rreth 40% të rasteve të dokumentuara, janë veçanërisht të ekspozuara ndaj dhunës seksuale.

Glorifikimi i jetës së grupeve të armatosura

Organizata që heton shkeljet e të drejtave të njeriut kritikon përhapjen në rrjetet sociale të materialeve që “glorifikojnë jetën në grupet e armatosura” dhe ofrojnë “mundësi të rreme punësimi”.

HRW ka identifikuar publikime ku pjesëtarë të grupeve kriminale shfaqen me shuma të mëdha parash dhe bizhuteri. Në materiale të tjera ata shfaqen në kampe ose duke dëgjuar narcocorridos – këngë meksikane që glorifikojnë botën e trafikut të drogës.

Ndër grupet që rekrutojnë të rinj për të luftuar, mbledhur informacione ose drejtuar dronë janë karteli Clan del Golfo, por veçanërisht grupet disidente të ish-FARC-ut, të cilat refuzuan marrëveshjen e paqes të vitit 2016, si dhe guerilja ELN.

“Të krijohen kundër-narrativa”

“Grupet e armatosura bëjnë shumë mirë në rrjetet sociale atë që mund të përshkruhet si shitja e një stili jetese”, shpjegon Mathew Charles, drejtor i një fondacioni që punon me të rinjtë e prekur nga konflikti i armatosur.

Sipas tij, këto grupe projektojnë një imazh të caktuar të maskulinitetit, ndërsa premtojnë mbrojtje dhe para të lehta.

“Detyra jonë, si shtet dhe si shoqëri civile, është t’i demaskojmë këto mashtrime dhe këto gënjeshtra dhe të krijojmë kundër-narrativa”, thekson Charles.

“Platformat digjitale duhet të pranojnë se po përdoren për rekrutimin e vajzave dhe djemve. Në praktikë, ato po përdoren për kryerjen e veprave penale, madje edhe të krimeve të luftës”, deklaron Juanita Goebertus, drejtoreshë e HRW për Amerikat.

Përmbajtjet janë raportuar dhe fshirë

HRW thotë se ia ka raportuar problemin Metas, kompanisë mëmë të Facebook-ut, si dhe ByteDance, pronarit të TikTok-ut.

Sipas organizatës, të dyja kompanitë deklaruan se kishin fshirë përmbajtjet e lidhura me grupet e armatosura që HRW kishte raportuar.

Meta tha se është “vazhdimisht duke punuar për përmirësimin” e strategjisë së saj për luftimin e rekrutimit të të miturve.

Ndërkohë, ByteDance deklaroi se “parandalon në mënyrë proaktive grupet e armatosura ilegale dhe grupet kriminale të organizuara që të përdorin” platformën e saj për qëllime të tilla.