Shkurt.de

Shërbimi Meteorologjik Gjerman korrigjon paraqitjen e Kosovës

Korrigjimi erdhi pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik të Ambasadës së Kosovës në Gjermani

Shërbimi Meteorologjik Gjerman, Deutscher Wetterdienst (DWD), ka korrigjuar mënyrën e paraqitjes së Republikës së Kosovës, e cila më parë ishte paraqitur gabimisht në hartat e këtij institucioni.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se ndryshimi është bërë pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, përcjell albinfo.ch.

Sipas Ajetit, Republika e Kosovës tani paraqitet saktë brenda kufijve të saj kushtetues në Shërbimin Meteorologjik Gjerman.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, ka shkruar Ajeti.

Ambasadori u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin institucione apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës ose qytetet e saj nuk paraqiten në mënyrë korrekte, t’i raportojnë rastet në Ambasadën e Kosovës në Gjermani, duke bashkëngjitur edhe dëshmitë përkatëse.

Sipas tij, këto raste do të adresohen dhe korrigjohen përmes angazhimit institucional dhe diplomatik.