Futboll

Kerem Aktürkoğlu pësoi goditje të rëndë në kokë, Fenerbahçe tregon gjendjen e tij

Futbollisti turk u dërgua në spital pas përplasjes gjatë ndeshjes me Konyasporin, ndërsa ekzaminimet nuk kanë treguar ndonjë gjetje negative

Futbollisti i Fenerbahçes, Kerem Aktürkoğlu, ka pësuar një goditje në kokë gjatë ndeshjes kundër Konyasporit, duke u detyruar të largohet nga fusha me barelë dhe të dërgohet në spital.

Incidenti ndodhi në minutën e 51-të të takimit, kur 27-vjeçari u përplas me një futbollist kundërshtar gjatë një dueli. Fenerbahçe njoftoi se Aktürkoğlu pësoi traumë në kokë, ndërsa në momentin e transportimit në spital ishte i vetëdijshëm, përcjell albinfo.ch.

Pas ekzaminimeve mjekësore, klubi turk bëri të ditur se tomografia e realizuar për kontroll nuk ka treguar ndonjë gjetje negative dhe se gjendja e përgjithshme shëndetësore e futbollistit është e mirë.

Aktürkoğlu ka reaguar edhe vetë pas incidentit, duke bërë të ditur se të gjitha ekzaminimet e nevojshme janë kryer dhe se rezultatet nuk kanë treguar ndonjë problem. Ai ka falënderuar stafin mjekësor, klubin, bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen.

Fenerbahçe ka bërë të ditur se, për shkak të tronditjes së pësuar në kokë, gjendja e tij do të ndiqet sipas protokollit të FIFA-s për tronditjet e trurit. Ky protokoll pritet të zgjasë së paku 10 ditë, ndërsa rikthimi i tij në fushë do të varet nga kontrollet mjekësore.