Futboll

Tifozët ndërkombëtarë kërkojnë dorëheqjen e Infantinos dhe reforma në FIFA

Një grup ndërkombëtar organizatash të tifozëve ka ndërmarrë një nismë të re kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Koalicioni ka hapur një peticion online për të kërkuar largimin e tij nga drejtimi i institucionit dhe ndryshime të thella në mënyrën se si qeveriset futbolli botëror.

Në mesin e organizatave që mbështesin nismën janë Football Supporters Europe, National Supporters Association dhe French Irresistibles. Sipas tyre, drejtimi aktual i FIFA-s po largohet nga interesat e tifozëve dhe nga vetë komuniteti që e mban gjallë futbollin.

Në deklaratën e tyre, organizatat theksojnë se tifozët janë pjesë thelbësore e këtij sporti, pasi ndjekin klubet dhe kombëtaret, udhëtojnë për ndeshjet dhe përcjellin pasionin për futbollin nga një brez te tjetri.

Peticioni nuk kufizohet vetëm te kërkesa për dorëheqjen e Infantinos. Nismëtarët kërkojnë gjithashtu një ristrukturim të procesit vendimmarrës në futbollin ndërkombëtar.

Një nga kërkesat kryesore është që tifozët dhe futbollistët të kenë një rol të përcaktuar dhe institucional në vendimet që lidhen me të ardhmen e sportit. Sipas koalicionit, zëri i atyre që janë drejtpërdrejt pjesë e futbollit duhet të jetë më i pranishëm në institucionet që e drejtojnë atë.