Kosova

Zjarri në hotelin në Vlorë, 5 shqiptarë të Kosovës të plagosur

Qytetarët e lënduar janë 5 shtetas kosovarë, të cilët kishin ardhur me pushime në Vlorë dhe ishin akomoduar në hotelin Brooklyn në Lungomare, i cili gjatë natës së të shtunës, duke u gdhirë e diela, u përfshi nga flakët

Për shkak të zjarrit të rënë në një hotel në Lungomare në Vlorë, 5 qytetarë të cilët ishin akomoduar aty dhe që kanë pësuar djegie e dëmtime të rënda, po trajtohen në spitalet e QSUT-së dhe Traumës.

Burime nga QSUT bëjnë me dije se një vajzë e re, 25 vjeç, e cila ka 90% të trupit të djegur dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore, po trajtohet në Reanimacionin Qendror, bashkë me një djalë i cili ka 30% të trupit të djegur, por është në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të gazrave që ka thithur nga tymi.

Të dy këta pacientë janë nën monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Një tjetër vajzë, po e moshës 25-vjeçare, me gati 30% djegie në trup të gradës së dytë, po trajtohet në Shërbimin e Djegie-Plastikës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy pacientë, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta në tentativë për t’u larguar nga hoteli, kur kanë konstatuar flakë dhe tym.

Qytetarët e lënduar janë 5 shtetas kosovarë, të cilët kishin ardhur me pushime në Vlorë dhe ishin akomoduar në hotelin Brooklyn në Lungomare, i cili gjatë natës së të shtunës, duke u gdhirë e diela, u përfshi nga flakët.

Mobilizimi

Shoqata e Operatorëve Turistikë të Vlorës është solidarizuar me pushuesit e prekur nga zjarri që përfshiu në orët e para të mëngjesit ambientet e hotelit “Brooklyn”.

Disa njësi hoteliere në Vlorë, në bashkëpunim edhe me Bashkinë, kanë ofruar ambiente për akomodimin e pushuesve të prekur nga ngjarja, me qëllim që pushimet e tyre të mos ndërpriten.

Kreu i Operatorëve Turistikë, Vasil Bedini, bën me dije se turistët do të akomodohen pa pagesë në hotele të tjera. Ndërkohë, për pushuesit që kanë humbur veshmbathje apo sende personale nga zjarri, operatorët turistikë do të kujdesen për t’u siguruar gjithçka që u nevojitet.

Solidariteti i operatorëve turistikë synon që pushuesit e prekur nga ngjarja të vijojnë qëndrimin e tyre në Vlorë dhe programin e pushimeve, pavarësisht situatës së krijuar pas zjarrit.