Kosova

Kurti mirëpret qëndrimin e Abdixhikut, fton PDK-në e Aleancën për “president konsensual”

Kurti kërkon takim me PDK-në, LDK-në dhe Aleancën për presidentin konsensual

Kryeministri në detyrë thotë se e përshëndet gatishmërinë e LDK-së për të diskutuar një kandidat konsensual për president, ndërsa zbulon ofertën e VV-së për bashkëqeverisje dhe kërkon përfshirjen e PDK-së e Aleancës në diskutime, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përshëndetur qëndrimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për gatishmërinë për të diskutuar rreth një kandidati konsensual për presidentin e vendit.

Megjithatë, Kurti ka thënë se LDK-ja është dashur të hyjë në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, duke zbuluar edhe detaje nga ofertat që, sipas tij, i janë bërë kësaj partie.

“E ndjeva mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim Lumir Abdixhiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Besoj që LDK-ja është dashur të hyjë në bashkëqeverisje, të kemi marrëveshje politike”, ka deklaruar Kurti të premten, pas ceremonisë së diplomimit të 100 kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas Kurtit, një marrëveshje politike nuk do të duhej të ishte domosdoshmërisht identike me rezultatin zgjedhor, por as nuk do të duhej ta deformonte atë.

“Me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, ka thënë ai.

Oferta e VV-së për LDK-në

Kurti ka dhënë edhe detaje rreth ofertës së Vetëvendosjes për bashkëqeverisje me LDK-në.

Ai ka thënë se në rast se kandidati i VV-së për president do të ishte Glauk Konjufca, LDK-së i ishte ofruar pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri.

Në rast se për president do të propozohej një kandidat konsensual, sipas Kurtit, oferta do të përfshinte pozitën e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri.

“Sepse VV-ja po heq dorë nga presidenti. Besoj që oferta për kryeparlamentarin dhe për bashkëqeverisje, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë do të bëhej zëvendësi im, nuk është pak”, ka deklaruar Kurti.

Kurti u shkruan tre liderëve

Kryeministri në detyrë ka thënë se e përshëndet gatishmërinë e Abdixhikut për një president konsensual, por ka kërkuar që në diskutime të përfshihen edhe partitë e tjera.

“E përshëndes thirrjen e Abdixhikut që është i gatshëm të diskutojë për president konsensual, por të jenë edhe partitë e tjera. Presidenti të jetë gjithëpërfshirës, të mos jetë vetëm VV-ja e LDK-ja”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë të ditur se pas deklaratës së Abdixhikut, u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke kërkuar që të takohen sa më shpejt për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit.

“I kam shkruar të tre kryetarëve mbrëmë me këtë ide që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për presidentin”, ka deklaruar Kurti.

PDK dhe Aleanca me qëndrime të ndryshme

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se Kurti nuk ka kredibilitet për të hapur tema madhore shtetërore pa u kthyer fillimisht procesi i formimit të institucioneve në atë që ai e konsideron rrugë kushtetuese.

Nga ana tjetër, Aleanca ka bërë të ditur se nuk do të hyjë në negociata pa u plotësuar gjashtë kushtet e saj.

Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i pakonstituuar. Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të, e thirrur më 6 gusht, nuk ka arritur të përfundojë pas dy tentativave.

Në këtë proces kanë mbetur të votohen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit është shndërruar në një nga temat kryesore të diskutimeve ndërmjet partive politike./Albinfo.ch