Futboll

Ardon Jashari rrëfen marrëdhënien me Modriqin: Është privilegj ta kesh në ekip

Mesfushori shqiptar i Milanit, Ardon Jashari, ka folur për raportin e tij me Luka Modriqin, ambiciet për sezonin e ri dhe idetë e trajnerit Ruben Amorim.

Ardon Jashari synon që marrëdhënien e mirë që ka krijuar jashtë fushës me Luka Modriqin ta transferojë edhe në lojë gjatë sezonit 2026/2027, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori i Milanit ka thënë se ka një raport shumë të mirë me legjendën kroate dhe se shpreson të ketë më shumë mundësi për të luajtur së bashku me të këtë sezon.

“Kam një lidhje të shkëlqyer jashtë fushës dhe shpresoj ta kemi këtë edhe në fushë këtë edicion. Duhet të jemi krenarë që kemi dikë si ai në ekipin tonë. Vitin e kaluar nuk luajtëm shumë së bashku, por shpresoj të jetë ndryshe këtë vit”, ka deklaruar Jashari në një intervistë për “Sky Sport”.

Ai ka vlerësuar veçanërisht mentalitetin fitues të Modriqit, duke theksuar se përvoja e kroatit mund t’i ndihmojë lojtarët e rinj të kuptojnë më mirë se çfarë kërkohet për të fituar trofe.

“Kur ke dikë si ai në krah, është gjithmonë mirë të luash. Ai gjithmonë dëshiron të fitojë, gjë që është e rëndësishme edhe për ne. Ta dëgjosh çdo ditë të ndihmon të kuptosh se çfarë duhet të bësh nëse dëshiron të fitosh trofe, siç bëri ai për 14 vjet te Real Madridi”, është shprehur Jashari.

Mesfushori shqiptar ka treguar edhe për përvojën e tij në repartin e mesfushës me Modriqin, duke thënë se në ndeshjen ndaj Interit ka ndier një përshtatje të mirë mes tyre.

“Në Belgjikë kam luajtur në mesfushë me dy lojtarë dhe me Modriqin, në ndeshjen kundër Interit, isha në gjendje të bëja disa lëvizje me të cilat ndihesha rehat”, ka shtuar ai.

Jashari beson te ideja e re e Milanit

Jashari ka folur pozitivisht edhe për trajnerin e ri të Milanit, Ruben Amorim, dhe mënyrën se si ai dëshiron ta ndërtojë skuadrën.

“Më pëlqen. Mezi pres, kam një ndjenjë të mirë se do të jemi dominues në ndeshje. Ne jemi Milani, duhet të luajmë kështu dhe të fitojmë”, ka thënë ai.

Duke folur për ndryshimin e filozofisë së lojës, Jashari ka vlerësuar edhe trajnerin Massimiliano Allegri, por ka bërë të qartë se ndihet i përshtatshëm me idenë e futbollit që synon të aplikojë Amorimi.

“Kam respekt të madh për Allegrin, ai ka fituar gjashtë tituj të Serie A dhe secili ka stilin e vet të lojës. Por kam një ndjenjë të mirë për idenë e presionit të lartë dhe dominimit të lojës me Amorimin”, është shprehur mesfushori.

Synon më shumë hapësirë dhe Ligën e Kampionëve

Jashari iu bashkua me vonesë përgatitjeve të Milanit, pas pushimit të marrë pas angazhimit me Zvicrën në Kupën e Botës.

Sezoni i kaluar nuk ishte i lehtë për të, pasi pati hapësirë të kufizuar dhe mungoi për një periudhë për shkak të lëndimit. Ai iu bashkua Milanit nga Club Brugge dhe tani synon të ketë një rol më të rëndësishëm në skuadër.

“Dua të jem në formën time më të mirë. Për ta bërë këtë, duhet të kem mundësinë dhe qëndrueshmërinë për të treguar se çfarë mund të bëj dhe si mund t’i bëj tifozët të lumtur”, ka deklaruar Jashari.

24-vjeçari ka theksuar se objektivi kryesor është ndërtimi i një mentaliteti fitues, ndërsa pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve mbetet një nga synimet e rëndësishme të Milanit.

“Duam të fitojmë ndeshje. Tani nuk është koha për të thënë se duam të fitojmë ligën, por për të ndërtuar një mentalitet fituesi. Nëse mund ta bëjmë këtë, ne si ekip kemi gjithçka që na duhet për të fituar. Patjetër që duam të luajmë në Ligën e Kampionëve”, ka përfunduar Jashari./Albinfo.ch