Kosova

“Rusia ta njohë Kosovën” – reagime të forta në Moskë pas vizitës së Zelenskyt në Serbi

Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd ka shkaktuar reagime të ashpra në Rusi, ku disa zëra kanë shkuar deri aty sa të kërkojnë që Moska ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Serbi ka nxitur reagime të forta në Moskë. Sipas medias serbe Danas, e cila i referohet komentatorit të Kommersant, Maksim Yusin, reagimet në Rusi kanë qenë në disa raste jashtëzakonisht emocionale, transmeton albinfo.ch.

Në emisionet e televizioneve qendrore ruse, udhëheqja serbe është kritikuar ashpër, madje në disa raste është akuzuar për “tradhti” dhe për një “goditje pas shpine” ndaj Rusisë.

Reagime edhe më të forta kanë ardhur nga autorë radikalë në kanalet e Telegramit, të cilët kanë propozuar që Rusia ta njohë pavarësinë e Kosovës si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës.

Sipas Danas, Yusin i konsideron këto reagime si dëshmi të një standardi të dyfishtë në politikën ruse. Ai argumenton se Moska u ka toleruar liderëve të tjerë miqësorë takimet me Zelenskyn, ndërsa ndaj Serbisë reagimi ka qenë dukshëm më i ashpër.

Mediat ukrainase raportojnë për reagimet në Kosovë

Vizita e Zelenskyt në Serbi dhe qëndrimi i tij për Kosovën kanë marrë vëmendje edhe në mediat ukrainase.

Nga Kyiv Independent te Ukrainska Pravda dhe Hromadske, mediat ukrainase kanë raportuar për reagimet në Kosovë pas deklaratës së presidentit Zelensky se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj sa i përket njohjes së Kosovës.

Deklarata ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa qëndrimi i Ukrainës për këtë çështje vazhdon të jetë në fokus të debatit politik dhe diplomatik. /Albinfo.ch