Lajme

Alarm në Evropë, mbi 240 raste të virusit të Nilit Perëndimor

Evropa po përballet me rritje të numrit të rasteve të virusit të Nilit Perëndimor. Mbi 240 raste janë regjistruar që nga fillimi i sezonit të transmetimit, duke shtuar vëmendjen e autoriteteve shëndetësore ndaj përhapjes së sëmundjes.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në kontinent janë konfirmuar gjithsej 241 raste te njerëzit, raporton Albinfo.ch.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Itali, me 139 të infektuar. Pas saj renditet Greqia me 61 raste. Spanja ka raportuar 17 raste, Maqedonia e Veriut 13, Rumania 6, Franca 4, ndërsa Gjermania një rast.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve evropiane të forcojnë masat e monitorimit dhe parandalimit, veçanërisht në Evropën Jugore, ku temperaturat dhe kushtet klimatike krijojnë mjedis të favorshëm për shumimin e mushkonjave.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Virusi qarkullon në natyrë kryesisht ndërmjet mushkonjave dhe shpendëve, ndërsa njerëzit infektohen pas pickimit nga mushkonjat bartëse.

Rreziku i transmetimit është zakonisht më i lartë gjatë muajve të verës, veçanërisht nga korriku deri në shtator, kur aktiviteti i mushkonjave është më intensiv.

Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. Në rastet kur ato shfaqen, mund të përfshijnë temperaturë, dhimbje koke, lodhje dhe dhimbje muskujsh.

Megjithatë, në një numër të vogël rastesh, infeksioni mund të bëhet serioz dhe të prekë sistemin nervor, duke shkaktuar sëmundje si encefaliti ose meningjiti.

Nuk ka aktualisht vaksinë për njerëzit kundër virusit të Nilit Perëndimor dhe as terapi antivirale specifike. Trajtimi fokusohet kryesisht në lehtësimin e simptomave dhe mbështetjen e pacientit.

Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore rekomandojnë masa të vazhdueshme për mbrojtjen nga mushkonjat. Ndër to janë përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave që mbulojnë trupin dhe shmangia e qëndrimit jashtë gjatë orëve kur mushkonjat janë më aktive.

Kujdes i shtuar u rekomandohet edhe personave që udhëtojnë drejt vendeve të Evropës Jugore gjatë muajve të verës.

Ekspertët theksojnë se konfirmimi i rasteve nuk do të thotë se mushkonjat në një zonë janë të gjitha të infektuara, por prania e virusit tregon se ekziston një rrezik real i transmetimit dhe kërkon masa parandaluese./Albinfo.ch/