Futboll
Lorik Cana rrëfen rrugëtimin drejt futbollit: Refuzimi i vizës për Arsenalin dhe prova që i ndryshoi jetën te PSG
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka ndarë detaje nga vitet e para të karrierës së tij, duke kujtuar vështirësitë që hasi si emigrant në Zvicër dhe momentet që i hapën rrugën drejt futbollit profesionist.
Në një intervistë për Federatën Shqiptare të Futbollit, në rubrikën “Legjendat Flasin”, Cana është kthyer pas në kohë, te viti 1999, kur familja e tij jetonte në Zvicër pas largimit nga Kosova gjatë luftës.
Cana ishte vetëm 7 vjeç kur u vendos në Zvicër. Pas përfundimit të luftës, familja e tij, e cila kishte statusin e emigrantit politik dhe një leje të përkohshme qëndrimi, u përball me mundësinë e kthimit në Kosovë.
Në këtë periudhë të pasigurt për familjen, 16-vjeçari mori një mundësi të jashtëzakonshme: një ftesë nga Arsenali për të zhvilluar një provë në Londër, e bërë në kohën kur klubin anglez e drejtonte Arsène Wenger.
Për Canën, kjo ishte një mundësi që mund t’i ndryshonte jetën. Megjithatë, ëndrra për të provuar veten te një prej klubeve më të mëdha të Europës u përball me një pengesë të papritur. Kërkesa për vizë në Angli iu refuzua.
“Ftesa e Arsenalit dhe mungesa e vizës? Në atë moment ka qenë diçka që mund të ishte momenti kyç i ëndrrës”, kujton Cana, duke përshkruar situatën e vështirë me të cilën përballej familja e tij.
Pa pasaportë dhe ende me statusin e emigrantit politik, Cana nuk mundi të udhëtonte drejt Anglisë. Por dështimi i kësaj mundësie nuk e ndali rrugëtimin e tij.
Drejtuesit e Lozanës, ku ai kishte nisur të luante futboll, i krijuan një tjetër mundësi, këtë herë në Francë, te Paris Saint-Germain.
Problemi ishte sërish i njëjtë: Cana nuk kishte dokumentet e nevojshme për të udhëtuar. Në moshën 16 vjeç e gjysmë, ai kaloi ilegalisht kufirin në zonën e Gjenevës dhe vazhdoi rrugëtimin drejt Parisit.
“Kalova kufirin në të zezë, në Gjenevë. Isha 16 vjeç e gjysmë, më hipën në tren në Lyon dhe shkova në Paris”, rrëfen ai.
Në kryeqytetin francez, Cana zhvilloi provën me PSG-në dhe la përshtypje të mirë te drejtuesit e klubit. Paraqitja e tij ishte bindëse dhe prova rezultoi e suksesshme.
PSG-ja mësoi më pas për situatën e tij dokumentare dhe shprehu dëshirën për ta mbajtur në skuadër. Cana ishte i gatshëm të qëndronte, por për të kishte rëndësi që të mos ndahej nga familja e tij, e cila ishte kthyer në Kosovë.
“Kur shkova në Paris e ndjeva që shumë pak gjëra do të shkonin keq. Ai kalimi i kufirit është ajo që më ndryshoi jetën”, shprehet ish-kapiteni kuqezi.
Ajo provë do të shënonte fillimin e një karriere të gjatë në futbollin europian. Cana veshi më pas fanellat e Olympique Marseille, Sunderland, Galatasaray, Lazio dhe Nantes, duke u bërë një prej futbollistëve shqiptarë më të spikatur të brezit të tij.
Një rol të veçantë në karrierën e tij pati edhe Kombëtarja shqiptare. Cana zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një prej liderëve kryesorë të skuadrës kuqezi.
Ai regjistroi 94 ndeshje me Kombëtaren dhe shënoi një gol, ndërsa për një periudhë të gjatë mbajti numrin 5 dhe shiritin e kapitenit.
Kulmi i karrierës së tij me Shqipërinë erdhi me kualifikimin historik në “Euro 2016”, në Francë. Për herë të parë, Kombëtarja shqiptare arriti të merrte pjesë në fazën finale të një Kampionati Europian.
Në rrëfimin e tij për FSHF-në, Cana ka folur gjithashtu për përgjegjësinë e të qenit kapiten, rolin e liderit në dhomat e zhveshjes dhe zhvillimet e Kombëtares së sotme.
Jeta e tij pas futbollit është një tjetër pjesë e historisë. Cana ka folur për familjen, aktivitetet pas tërheqjes nga sporti, si dhe interesin e tij për historinë dhe arkeologjinë.
Nga një fëmijë emigrant që u përball me pasigurinë e dokumenteve dhe rrezikun e kthimit në Kosovë, te një futbollist i afirmuar në disa prej klubeve europiane dhe kapiten i Shqipërisë, historia e Lorik Canës është një rrugëtim që shkon përtej futbollit.
E-Diaspora
-
25-vjeçari shqiptar ndalohet në aeroportin e Memmingenit, pajisjet e punës zbuluan planin për të hyrë ilegalisht në Gjermani Një 25-vjeçar shqiptar është ndaluar nga autoritetet kufitare në aeroportin e Memmingenit, pasi dyshohet se kishte... -
Takim B2B mes diasporës dhe Kosovës, për më shumë mundësi biznesi -
Vëllai i Dua Lipës po ndërton emrin e tij në muzikën elektronike -
Gjermani
Mbi 120 fluturime nga Gjermania drejt Kosovës vetëm brenda një jave -
Arijon Ibrahimoviq asiston për Bayernin në fitoren ndaj Aston Villas
Jeta në Austri
-
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat Këtë vit, Equal Pension Day në Austri shënohet më 9 gusht. Kjo datë simbolizon momentin kur... -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë -
Kancelari austriak thotë se kujdesi për fëmijët nuk është punë













