Kosova

“Harper’s Bazaar” i kushton vëmendje Sunny Hill Festival dhe Dua Lipës

Revista e njohur amerikane “Harper’s Bazaar” ka publikuar një artikull kushtuar festivalit Sunny Hill, duke e sjellë Prishtinën dhe Kosovën në fokus të lexuesve ndërkombëtarë. Në shkrim, vëmendje e veçantë i kushtohet Dua Lipës, e cila cilësohet si “mbretëresha e Sunny Hill Festival”.

Artikulli, i publikuar më 4 gusht, thekson se artistja shqiptare arriti ta shndërrojë Prishtinën në një qendër të rëndësishme të muzikës gjatë ditëve të festivalit. Revista vlerëson jo vetëm organizimin e ngjarjes, por edhe paraqitjet e saj, të cilat i përshkruan si elegante dhe frymëzuese.

Sipas “Harper’s Bazaar”, në natën e parë të festivalit, Dua Lipa shijoi atmosferën dhe performancën e Katy Perryt e veshur me një minifustan metalik të markës “Rabanne”, të kombinuar me çizme të zeza prej lëkure. Ndërsa një ditë më vonë, ajo u shfaq me një veshje të bardhë prej dantelle nga “Chloé”, të cilën e plotësoi me një xhaketë të kuqe, duke kaluar mbrëmjen në shoqërinë e familjes.

Revista ndalet edhe te historia e festivalit, duke kujtuar se Sunny Hill u themelua në vitin 2018 nga Dua Lipa së bashku me prindërit e saj. Në artikull përmendet edhe lidhja e fortë e familjes Lipa me Kosovën, emigrimi i prindërve të saj në Londër gjatë viteve ’90 dhe rikthimi i tyre pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, theksohet se Dua Lipa, megjithëse e lindur në Mbretërinë e Bashkuar, ka kaluar një pjesë të fëmijërisë në Prishtinë dhe më vonë ka marrë edhe shtetësinë e Kosovës.

Në fund të artikullit përmendet mesazhi emocional që këngëtarja ndau me ndjekësit pas festivalit, ku shprehu krenarinë dhe emocionin për performancën në qytetin që, sipas saj, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e saj.