Muzikë

Katy Perry pas koncertit në Prishtinë: Ishte magjike, faleminderit Dua Lipa dhe Sunny Hill

Superylli amerikan falënderoi publikun kosovar dhe organizatorët e festivalit, duke e cilësuar performancën e saj të parë në Kosovë një përvojë të paharrueshme.

Ylli botëror i muzikës pop, Katy Perry, ka reaguar pas performancës së saj në edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke e përshkruar koncertin e parë në Kosovë si një përvojë magjike.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja amerikane shprehu mirënjohjen për Dua Lipën dhe ekipin organizativ të festivalit, të cilët e ftuan të performojë para mijëra adhuruesve në Prishtinë.

“Shfaqja ime e parë në Kosovë ishte magjike. Faleminderit Dua Lipa dhe Sunny Hill Festival që më ftuat”, ka shkruar Perry.

Këngëtarja falënderoi gjithashtu publikun që sfidoi temperaturat e larta për të qenë pjesë e koncertit, duke vlerësuar energjinë dhe atmosferën e krijuar gjatë mbrëmjes.

“Kaq ishte për Eurosummer! Faleminderit çdo personi që sfidoi vapën për të ardhur dhe për ta parë shfaqjen tonë. Tani jam jashtë zyrës (me pushime). Ju lutem, kontaktoni Tamrën nëse keni nevojë për diçka. Ju dua”, u shpreh ajo.

Performanca e Katy Perry në skenën kryesore të Sunny Hill Festival u cilësua si një nga momentet kulmore të natës së parë, duke elektrizuar mijëra pjesëmarrës dhe duke shënuar debutimin e saj para publikut kosovar.