Kosova

Panairi i Gruas mbledh në Prishtinë rreth 50 biznese të drejtuara nga gra

Mimoza Kusari-Lila: Fuqizimi i grave ndërmarrëse mbetet prioritet, në gusht organizohet një tjetër panair

Në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë është hapur solemnisht Panairi i Gruas, i organizuar nga Shoqata e Grave Ndërmarrëse pranë Odës Ekonomike të Kosovës, ku marrin pjesë rreth 50 organizata dhe biznese të drejtuara nga gra.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se panairi paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e produkteve dhe shërbimeve të grave ndërmarrëse, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë.

Ajo theksoi se mbështetja për gratë ndërmarrëse mbetet një nga prioritetet kryesore përmes skemave të granteve, mekanizmave të financimit dhe krijimit të Divizionit për Gratë Ndërmarrëse në kuadër të Agjencisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion.

Sipas Kusari-Lilës, pas konferencës së mbajtur në muajin qershor me pjesëmarrjen e rreth 300 bizneseve, institucionet do të vazhdojnë mbështetjen për gratë në biznes edhe me organizimin e një panairi tjetër gjatë muajit gusht, si dhe të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse në vjeshtë.

“Kur një grua arrin të zhvillojë biznesin e saj, ajo krijon mundësi të reja për familjen, komunitetin dhe ekonominë e vendit”, është shprehur Kusari-Lila.

Panairi do të qëndrojë i hapur edhe nesër, ndërsa qytetarët janë ftuar ta vizitojnë dhe të mbështesin produktet bio dhe vendore të grave ndërmarrëse./Albinfo.ch

FOTO – Këtu