Lajme

Shqiptarja Mikela Skandaj shpallet nënkampione bote në karate me Italinë

Sportistja me origjinë nga Lezha fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror WUKF 2026, duke u renditur mes më të mirave në botë

Sportistja shqiptare Mikela Skandaj ka arritur një sukses të madh në arenën ndërkombëtare të karatesë, duke u shpallur nënkampione e botës në Kampionatin Botëror WUKF 2026, ku përfaqësoi Italinë, transmeton albinfo.ch.

Gjatë këtij kompeticioni prestigjioz, të zhvilluar në Cluj-Napoca të Rumanisë, Skandaj fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë e saj, duke konfirmuar nivelin e lartë sportiv dhe talentin që e karakterizon.

Botërori WUKF 2026 mblodhi 2.106 sportistë nga e gjithë bota, me gjithsej 4.519 pjesëmarrje, që përfaqësonin 47 shtete dhe 76 federata. Në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare, Mikela Skandaj arriti të renditej mes sportisteve më të mira, duke siguruar vendin e dytë në podium.

Me origjinë nga Lezha, Mikela përfaqëson Italinë në garat ndërkombëtare dhe garoi në kategorinë deri në 60 kilogramë për grupmoshat U16-U17. Paraqitjet e saj të shkëlqyera gjatë kampionatit e çuan deri në finalen e madhe, ku fitoi medaljen e argjendtë dhe titullin e nënkampiones së botës.

Ky rezultat përbën një tjetër sukses të rëndësishëm për sportisten shqiptare dhe një burim krenarie për komunitetin shqiptar, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e sportistëve me origjinë shqiptare në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch