Pesë vjet pas aksidentit tragjik që tronditi Kosovën, në qytetin e Slavonski Brod-it në Kroaci do të inaugurohet një pllakë përkujtimore në nderim të 10 viktimave që humbën jetën në aksidentin e autobusit më 25 korrik 2021, transmeton albinfo.ch.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Kosovës në Kroaci, e cila njoftoi se ceremonia e zbulimit të pllakës përkujtimore do të mbahet më 23 korrik 2026, duke filluar nga ora 10:30.
Sipas Ambasadës, kjo ceremoni organizohet në shenjë nderimi dhe kujtimi të përhershëm për viktimat e tragjedisë, duke përcjellë një mesazh respekti, solidariteti dhe kujtese institucionale.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, përfaqësues të autoriteteve lokale të qytetit të Slavonski Brod-it, përfaqësues të Prefekturës Brod-Posavinë, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci.
Mëngjesin e 25 korrikut 2021, një autobus i kompanisë kosovare “Deva Tours”, i cili po udhëtonte nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Kosovës me rreth 60 pasagjerë, doli nga rruga në Slavonski Brod. Si pasojë e aksidentit humbën jetën 10 persona, ndërsa mbi 30 të tjerë mbetën të lënduar.
Për këtë aksident u arrestua shoferi i autobusit, i cili para autoriteteve kroate deklaroi se për një moment e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes./Albinfo.ch
https://www.facebook.com/share/1CNud5dy7r/?mibextid=wwXIfr