Lajme

Bazeli paralajmëron qytetarët: Mos qëndroni nën pemë gjatë valës së të nxehtit

Autoritetet thonë se temperaturat e larta dhe thatësira kanë dobësuar degët e pemëve, duke rritur rrezikun e thyerjes së tyre

Autoritetet e Bazelit u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin qëndrimin ose uljen nën pemët e mëdha gjatë valës së të nxehtit, pasi degët e tyre mund të thyhen papritur.

Sipas autoriteteve lokale, temperaturat e larta dhe thatësira kanë bërë që degët e pemëve të bëhen më të brishta, duke rritur rrezikun e rënies së tyre.

Për këtë arsye, në parqet e qytetit janë vendosur tabela paralajmëruese, të cilat u kërkojnë vizitorëve të mos pushojnë nën pemët e mëdha, transmeton albinfo.ch.

Shefi i departamentit për mirëmbajtjen e parqeve në Bazel, Simon Leuenberger, tha se aktualisht qëndrimi nën pemë me hije nuk është i sigurt për shkak të “rrezikut të thyerjes dhe rënies së degëve”.

Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura ekstreme dhe të zgjedhin vende të sigurta për t’u mbrojtur nga dielli.